Ukraina del me një propozim për Turqinë

  • A.P /
  • 07 September 2023 - 19:47
Ukraina del me një propozim për Turqinë

Ukraina i ka paraqitur një propozim zyrtar Turqisë për të rivendosur një korridor në Detin e Zi për eksportet e grurit ukrainas pa pjesëmarrjen e Rusisë, tha ambasadori ukrainas në Turqi Vasyl Bodnar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ideja është “racionale” sepse anijet e mallrave tashmë udhëtojnë nëpër ujërat territoriale rumune, bullgare dhe turke të Detit të Zi, shpjegoi ambasadori, raportojnë mediat ukrainase.

Që kur Moska nuk pranoi të zgjasë marrëveshjen e grurit të Detit të Zi në korrik, marina ukrainase ngriti një korridor të përkohshëm për të mbrojtur anijet tregtare që largoheshin nga ujërat e Ukrainës.

Të paktën 4 anije kanë kaluar nëpër korridor që kur u njoftua më 10 gusht. Bodnar tha se Turqia nuk i është përgjigjur ende kërkesës, por pret që Ankaraja dhe Kievi të komunikojnë për këtë çështje në ditët në vijim.

Që kur Rusia u tërhoq nga marrëveshja, Turqia ka vepruar si ndërmjetëse midis dy vendeve. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan u takua me Vladimir Putin më 4 shtator për këtë çështje.

(Kosova Sot Online)