Njësiti FAST Kosova i arreston dy persona, po kërkoheshin nga INTERPOL-i

  • A.P /
  • 08 September 2023 - 18:35
Njësiti FAST Kosova i arreston dy persona, po kërkoheshin nga INTERPOL-i

Në vazhdën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar me shtetet partnere, Policia e Kosovës, konkretisht njësiti FAST Kosova, gjatë kësaj jave ka arrestuar dy persona të dyshuar të cilët kërkoheshin me urdhër-arrest ndërkombëtar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Policia ka arritur ta lokalizojë të dyshuarin: P.J., (viti i lindjes 1986, mashkull kosovar), i cili ishte i kërkuar përmes INTERPOL-it nga një shtet evropian.

“Po ashtu, FAST Kosova, ka arritur të lokalizojë dhe më pas ta arrestojë edhe të dyshuarin e dytë: D.S., (viti i lindjes 1992, mashkull shtetas gjerman), i cili po ashtu kërkohej nga INTERPOL-i”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe më pas do të vazhdohet me procedurat e parapara për raste e tilla.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive të kundërligjshme në vend përfshirë edhe forcimin e bashkëpunimit policor në rrafshin ndërkombëtar. 


(Kosova Sot Online)