Komiteti serb e vlerëson si skandaloz vendimin për organizimin e 'Lojërave Mesdhetare' në Kosovë

  • A.P /
  • 08 September 2023 - 22:43
Komiteti serb e vlerëson si skandaloz vendimin për organizimin e 'Lojërave Mesdhetare' në Kosovë

Komiteti Olimpik i Serbisë ka reaguar pasi Asambleja e Përgjithshme ia dha të drejtën Kosovës për të organizuar Lojërave Mesdhetare, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Komiteti serb e vlerësoi si skandaloz këtë vendim, teksa sipas tyre, sot pati edhe përzierje të politikës në sport, pasi para Asamblesë së Përgjithshme u paraqit edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili prezantoi kandidaturën, bashkë me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, dhe sekretarin e përgjithshëm të KOK-ut, Besim Aliti.

“Në Kuvendin e sotëm pa lajmërim paraprak për delegatët është paraqitur dhe ka folur Albin Kurti. Komiteti Olimpik i Serbisë ka reaguar ashpër dhe insistoi që vendimi për pritjen e MI 2030 të merret pas Lojërave Olimpike të vitit 2024, gjë që është praktikë në këto raste. Kryesia e ICMI-së refuzoi ta votojë këtë propozim të Serbisë dhe kështu delegatët i vuri para një fakti të kryer. Pavarësisht se kandidatët e tjerë u tërhoqën dhe përkundër presionit të madh për të marrë vendimin unanimisht, organizimi i Lojërave Mesdhetare u dha, por me kundërshtim të fortë nga përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Serbisë, me 8 vota kundër. Komiteti Olimpik i Serbisë dënon ashpër këtë lloj ndërhyrje të politikës në sport”, thuhet mes tjerash në reagimin e Komitetit Olimpik të Serbisë. 

(Kosova Sot Online)