Apeli kthen në rigjykim çështjen e dhunimit ndaj 11-vjeçares, më 22 shtator mbahet seanca gjyqësore

  • S.A /
  • 09 September 2023 - 12:16
Apeli kthen në rigjykim çështjen e dhunimit ndaj 11-vjeçares, më 22 shtator mbahet seanca gjyqësore

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje çështjen penale të dhunimit ndaj 11-vjeçares, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë më 24 shkurt 2023, i kishte dënuar me 40 vite burgim (së bashku), katër të akuzuarit E.R., Xh.S., G.R., dhe G.J., ndërsa kishte liruar nga akuza SH.K, transmeton "Kosova Sot Online ".

Lajmin e ka konfirmuar për zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se rasti në fjalë është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit e Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur ka caktuar seancën e shqyrtimit gjyqësorë me datë 22 shtator 2023 në ora 09.00”, tha ajo.

Gashi bëri të ditur se  seanca do të jetë mbyllur për publikun sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur.

Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte dënuar me 40 vjet burg katër të akuzuarit, tre prej tyre të mitur, në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, në gusht të vitit 2022.

Sipas njoftimit, gjykata nuk ka gjetur që e dëmtuara të ketë qenë e trafikuar apo viktimë e veprës penale të trafikimit me njerëz.

I akuzuari E.R është shpallur fajtor për veprën penale “Dhunimi” dhe ndaj tij është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 vjetëve, në të cilën llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

I mituri XH.S është shpallur fajtor për veprën penale “Dhunimi” dhe për veprën penale “Keqpërdorim i Fëmijëve në Pornografi” si dhe është dënuar me dënim me burgim për të mitur në kohëzgjatje prej tetë viteve.

I mituri G.R është shpallur fajtor për veprat penale “Dhunimi”, “Keqpërdorim i Fëmijëve në Pornografi” dhe veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Dhunimi” si dhe është dënuar me dënim me burgim për të mitur në kohëzgjatje prej nëntë viteve.

I mituri G.J është shpallur fajtor për veprën penale “Dhunimi” dhe veprën penale “Keqpërdorimi i Fëmijëve në Pornografi” si dhe ndaj tij është shqiptuar dënim me burgim për të mitur në kohëzgjatje prej tetë viteve.

Ndërsa, i akuzuari SH.K është liruar për veprën penale “Shërbime seksuale të viktimës së trafikimit”.

“Vetura e përdorur dhe telefonat e përdorur janë konfiskuar, ndërsa pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko civil”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Rasti i dhunimit të 11-vjeçares u bë publik gushtin e vitit të kaluar. Autoritetet atëbotë thanë se ajo dyshohej se ishte përdhunuar në një park të Prishtinës. 

(Kosova Sot Online )