Pse Kurtit i kërkohet të raportojë në Kuvend para takimit me Vuçiqin në Bruksel!

  • A.P /
  • 10 September 2023 - 13:04
Pse Kurtit i kërkohet të raportojë në Kuvend para takimit me Vuçiqin në Bruksel!

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë kërkuar që kryeministri Albin Kurti të raportojë në Kuvend para takimit të 14 shtatorit, me presidentin serb, Aleksander Vuçiq, në Bruksel,  transmeton gazeta "Kosova Sot Online"..

Ata kanë theksuar se nuk presin asgjë të mirë nga ky takim, duke u nisur nga fakti që Kosova është nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që të raportojë në Kuvendin e Kosovës para takimit me Vuçiqin, takim i cili, sipas saj, nuk do të duhej të mbahej fare pa u zbatuar marrëveshjet që janë arritur deri tani.

“Unë pres nga kryeministri Kurti të vije dhe të raportojë në Kuvendin e Kosovës, para takimit me Vuçiqin dhe është mirë që të mos mbajë takime të tjera se duhet të zbatohen marrëveshjet të cilat i ka bërë Kurti, si ajo e Ohrit, si ajo e Bratislavës”.

“Nga ky takim nuk pres diçka të re për arsye se të gjitha marrëveshjet që janë bërë në kohën e tij ende nuk janë zbatuar. Është marrëveshja për energjinë, është marrëveshja për të pagjeturit ku deri më tash keni parë që nuk ka ndodhur asgjë”, tha ajo.

Krasniqi, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, ka thënë për EO, se deri tani vendi ka humbur shumë si pasojë e qeverisjes së Albin Kurtit e se për të keq kanë ndikuar edhe sanksionet e BE-së ndaj Kosovës.

“Ne kemi humbur shumë, ne përveç që kemi humbur kohë kemi pasur edhe sanksione nga ana e Bashkimit Evropian. Unë shpresoj që shumë shpejt të ulen e të dakordohen për të mirën e vendit, por kryeministri e ka obligim që para takimit të vije dhe të tregojë në Kuvendin e Kosovës se çka do të diskutojë në atë takim. Për arsye se në takimin e Bratislavës, që ka qenë zëvendëskryeministri, ende nuk e dimë ne se çka ka ndodhur atje”, është shprehur ajo.

(Kosova Sot Online)