Takimi Kurti – Vuçiq, a do të ketë zhvillime pozitive?

  • E.K /
  • 11 September 2023 - 07:56
Takimi Kurti – Vuçiq, a do të ketë zhvillime pozitive?

Takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillohet më 14 shtator.

Ata janë takuar për herë të fundit më 2 maj – nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.

Më 30 gusht, BE-ja përsëriti thirrjen për të dyja që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut.

Dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.

Gjatë konferencës së fundit, Borrell ka njoftuar se së bashku me presidencën spanjolle të BE-së do të mbajë një konferencë të përbashkët në nivel të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor për të analizuar situatën në rajon. Ai shtoi se kjo do të bëhet krahas takimeve tjera që do të zhvillohen, siç është samiti i Procesit të Berlinit.

“Çështja e zgjerimit ka qenë në diskutimet tona. Kemi diskutuar për Ukrainën dhe për zgjerimin drejt Ballkanit perëndimor . Do të mbetet proces i zbatuar në meritat individuale”, ka thënë ai duke shtuar se edhe për BE-ja ka nevojë të përgatitet për zgjerim.

Ndryshe, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, tha të mërkurën vonë se u takua me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, për të biseduar rreth përgatitjeve për një takim të nivelit të larg të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit javën e ardhshme.

“Ne e patëm një diskutim të gjatë dhe përmbajtjesor për t’u përgatitur për takimin e dialogut të nivelit të lartë javën e ardhshme”, shkroi Lajçaku në rrjetin social të njohur si Twitter dikur.

Ai theksoi se përqendrimi i tyre kryesor në takimin e 6 shtatorit në Bruksel ishte “si të përparojmë në normalizimin e marrëdhënieve”.

(Kosova Sot Online)