Akrap: Serbia është eksportuesi kryesor i krizës në zonën e Ballkanit Perëndimor

  • E.K /
  • 11 September 2023 - 08:36
Akrap: Serbia është eksportuesi kryesor i krizës në zonën e Ballkanit Perëndimor

Rusia dhe Serbia dhe instrumentet e tyre të veprimit menaxhojnë procese të shumta si në skenën politike ashtu edhe në atë shoqërore, kryesisht në Serbi, thotë ekspert i sigurisë nga Instituti për Hulumtimin e Konflikteve Hibride në Zagreb, Gordan Akrap.

Akrap thekson se Serbia me ndihmën e Rusisë është shndërruar në eksportuesin kryesor të krizës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Në shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë, komunitetit ndërkombëtar nuk iu lejua ta mposhtë strategjinë e madhe të Serbisë, gjegjësisht synimin dhe planin e tyre për të krijuar Serbinë e Madhe, prandaj kjo ide është e fortë dhe e pranishme edhe sot. Fatkeqësisht, edhe sot, njëzet e ca vjet pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe rënies së regjimit të Millosheviqit, ne duhet të luftojmë me aktivitete të ngjashme dhe të njëjta të Serbisë, të cilat ajo po përpiqet t’i bëjë sa më në mënyrë të pavarur me ndihmën e Rusisë”, thekson Akrap në një intervistë për The Geopost.

Ai vëren se Serbia e ka radikalizuar fuqishëm shoqërinë e krijuar si rezultat i politikave radikale të Sllobodan Millosheviqit në vitet 1990 dhe se ky proces vazhdoi me Koshtunicën dhe pasardhësit e tij.

“E dimë disa herë se Rusia u përpoq fuqishëm ta destabilizojë Serbinë nga brenda në momentin kur Serbia tentoi të bënte disa hapa drejt Perëndimit. Dhe ky është problemi që Serbia e ka me dekada”, vëren ai.

“E shohim qartë se si Serbia dhe rusët po përpiqen të destabilizojnë fuqishëm Kosovën, ia dolën të destabilizojnë Malin e Zi dhe kur flasim për dëmet e këtij ndikimi, ne e dimë se anëtarësimi praktik dhe pranimi i Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në aleancën e NATO-s arriti të parandalojë dukshëm përzierjen në punët e tyre të brendshme”, shton Akrap.

Sipas analistit kroat, thekson se përpjekja e Serbisë për t’u ulur në disa karrige nuk funksionon.

“Para së gjithash është e rrezikshme për vetë Serbinë sepse Serbia po përpiqet të ulet në disa karrige në të njëjtën kohë, por thjesht nuk funksionon. Nuk është më koha e viteve 1970 dhe 1980 dhe Lëvizja e të Paangazhuarve, kur në situata kaq të vështira dhe kërkuese nuk mund dhe nuk dëshiron të përcaktohesh”, pohon ai.

Në fund, Akrap tregon se Aleksandar Vuçiq për ta ndaluar destabilizimin brenda Serbisë, është duke punuar që ta nis një fushatë destabilizuese kundrejtë Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës e Hercegovinës.

“Për të parandaluar stabilizimin e saj të mëtejshëm, ajo, për fat të keq, dhe kjo ka shumë të ngjarë të jetë e vërtetë, do të nisë destabilizimin e mëtejshëm kryesisht të Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës. Nga ana tjetër, zhvillimet e brendshme në Serbi nuk do të jenë të dobishme për Serbinë dhe vendet përreth”, përfundon Akrap.

(Kosova Sot Online)