Vizita e parë, ministri izraelit vjen në Kosovë për forcimin e marrëdhënieve, nënshkruhet një marrëveshje turistike

  • E.K /
  • 11 September 2023 - 11:25
Vizita e parë, ministri izraelit vjen në Kosovë për forcimin e marrëdhënieve, nënshkruhet një marrëveshje turistike

Ministri izraelit i Turizmit, Israel Katz, do të vijë për një vizitë dyditore në Kosovë, me ftesë të qeverisë së vendit, raporton iNews24.

Katz do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani, ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Katz do të bëhet ministri i parë i lartë izraelit që do ta zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë.

“Iniciativa kryesore në bazë të vizitës është nënshkrimi i një marrëveshjeje turistike dhe forcimi i marrëdhënieve dhe partneritetit mes vendeve”, thuhet në një deklaratë zyrtare.

“Ministri i Turizmit, Israel Katz, do të ofrojë ndihmën izraelite për zhvillimin ekonomik dhe turistik që Kosova kërkon të promovojë”, shtohet në deklaratë.

Kosova e mori në Shtëpinë e Bardhë njohjen e rëndësishme nga Izraeli dhe më pas u bë vendi i parë europian dhe me shumicë myslimane që hapi ambasadë në Jerusalem në vitin 2021. Qershorin e kaluar, Kosova miratoi përkufizimin e antisemitizmit të Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

(Kosova Sot Online)