Osmani pritet nga Pendarovski, e falënderon atë, presidenten e Sllovenisë dhe presidentin e Kroacisë në fillim të samitit në Shkup

  • S.A /
  • 11 September 2023 - 12:09
Osmani pritet nga Pendarovski, e falënderon atë, presidenten e Sllovenisë dhe presidentin e Kroacisë në fillim të samitit në Shkup

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur në Shkup nga presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski.

Pendarovskin, por edhe presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar dhe presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, Osmani i falënderoi për mirëseardhjen e tyre në fillim të takimit të liderëve të procesit të Bërdo-Brionit që po mbahet në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, transmeton "Kosova Sot Online ".

“Falendëroj Presidentët Pendarovski, Musar dhe Milanović për mirëseardhjen e tyre në fillim të takimit të liderëve të procesit Bërdo-Brione. Kosova ka rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit dhe kontribut përmbajtësor për rrugën e përbashkët euro-atlantike”, shkroi Osmani në Facebook.

Samiti i radhës i Bërdo-Brionit tashmë ka nisur. Këtë herë, sipas presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, shtetet pjesëmarrëse “do të riafirmojnë angazhimin për forcimin e bashkëpunimit rajonal, zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe përparimin drejt integrimit në Bashkimin Europian”.

Në këtë takim po marrin pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani; i Shqipërisë, Bajram Begaj; i Serbisë, Aleksandar Vuçiq; e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar; i Kroacisë Zoran Millanoviq, anëtarët e presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Zhelko Komshiq, Denis Beqiroviq dhe Zhelka Cvijanoviq, si dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.

(Kosova Sot Online )