Si po arrestohen serbët e Kosovës që nuk i binden Vuçiq-it

  • E.K /
  • 12 September 2023 - 08:34
Si po arrestohen serbët e Kosovës që nuk i binden Vuçiq-it

Prej se Lista Serbe e anëtarët e kësaj partie, kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në institucionet e Kosovës, presioni e linçimi mbi qytetarët serb që punojnë në institucionet e Kosovës është rritur.

Arrestimi i Nikola Radomiroviqit, drejtor i Drejtorisë së Administratës në Komunën e Leposaviqit, ka vënë në pah problemet e integrimit të qytetarëve serb që dëshirojnë të punojnë në institucionet e Kosovës, e nuk lejohen nga Beogradi.

Ish ministri për Komunitete dhe Kthim, Milazim Gashi thotë se kjo çfarë ka ndodhur është kidnapim diplomatik dhe duhet të shihet si shqetësuese, edhe nga autoritetet vendore e ato ndërkombëtare.

“Pas ndarjes së Listës serbe jashtë institucioneve të Kosovës janë dukuri të vazhdueshme të institucioneve përkatëse, të BIA-s, dhe të Policisë së Serbisë e cila me një far forme po i bëjnë presion qytetarëve serb që të largohen prej institucioneve të Kosovës, që këtë mundësi po ia akordon lista serbe, faktikisht për shkak se po tenton me mbet faktori numër një në Kosovë nga komuniteti serb”, ka thënë Milazim Gashi – Ish zv.ministër për Komunitete dhe Kthim.

Se çështja e arrestimit të zyrtarëve serb që ushtrojnë funksione në institucioneve kosovare, duhet të diskutohet edhe në nivel të dialogut e thotë Belgzim Kamberi nga Instituti ‘ Musinë Kokalari”.

Kamberi thotë, se ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë- Serbi, duhet të ngrisin këtë çështje, dhe të ndërmarrin veprime ndaj shtetit serb.

“Meqë kemi shumë raste që serb të cilët kanë pranuar të integrohen në institucionet e Kosovës ata nënkupton se është goditje e drejtpërdrejt kundër integrimit serbëve në institucionet, rrjedhimisht është kundër normalizimit të marrëdhënieve Kosovë Serbi, në këtë drejtim konsiderojmë se Serbia jo vetëm se po cenon lirinë e lëvizjes së shtetasve të Kosovës, por po angazhohet kundër normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, ka thënë Belgzim Kamberi – Instituti ‘Musine Koklari’.

E Taulant Elshani, njohës i sigurisë thotë se arrestimi i serbëve që jetojnë e punojnë në veri të vendit, bëhet nga Serbia për të rritur shantazhin e frikësimin e qytetarëve të tjerë serb.

“Qëllimi i arrestimit të serbëve që punojnë në institucionet e Republikës së Kosovës është frikësimi dhe vështirësimi i integrimit të mëtejshëm të pakicës serbe në Kosovë. Serbia përdorë metoda të ndryshme të frikësimit, dhe në vazhdimësi kemi qenë dëshmitarë të ndalimeve dhe arrestimeve të tilla arbitrare, pa bazë e pa asnjë justifikim. Përmes arrestimeve arbitrare, Serbia ua bën të ditur serbëve që duan të integrohen në institucionet e Kosovës, dhe në përgjithësi të jenë pjesë e jetës normale në vend, se ata do të ballafaqohen më vështirësi dhe rreziqe të tilla. Qëllimi përfundimtar është që serbët të përdoren politikisht nga regjimi i Vuçiqit për qëllime dhe interesa të pushtetit të tij”.

“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë bërë një punë të mire në shtrirjen e ligjshmërisë në veriun e vendit, duke shtuar prezencën dhe efikasitetin. E tëra çfarë Kosova mund të bëjë për arrestime të tilla nga Serbia është t’i denoncojë ato në funksion të sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar, dhe eventualisht, të rrisë presionin ndaj institucioneve të Serbisë.”

Nikola Radomiroviqit, u ndalua gjatë së shtunës nga autoritete serbe në pikën kufitare në Jarinje, teksa babi i Nikollës, Radoica Radomiroviq aktualisht është zëvendës ministër në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim në Kosovë.

Linçime e kërcënime kishte pasur në rrjete sociale edhe ndaj zyrtarëve policor të komunitetit serb, çka disa prej tyre dhanë edhe dorëheqje.

(Kosova Sot Online)