Ja çka ka gjetur policia në shtëpinë e personit që dyshohet se ka gisht në vrasjen e djeshme në Podujevë

  • E.K /
  • 12 September 2023 - 09:37
Ja çka ka gjetur policia në shtëpinë e personit që dyshohet se ka gisht në vrasjen e djeshme në Podujevë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me rastin e vrasjes së rëndë dhe plagosjes së djeshme në Podujevë, përcjell “Kosova Sot Online”.

Sipas policisë, viktima ka vdekur në vendin e ngjarjes, teksa gruaja e tij është plagosur dhe është dërguar për hospitalizim në QKUK.

Lidhur me rastin është arrestuar një person i dyshuar se ishte i përfshirë në këtë rast.

“Në lidhje me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, nën dyshimin e bazuar se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e veprës së lartcekur bashkë me të dyshuarin i cili dyshohet se kishte kryer vrasjen dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Po ashtu lidhur me rastin njësitë policore të shoqëruara nga prokurori kujdestar gjatë bastisjes në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të personit të arrestuar kanë gjetur dhe konfiskuar: një pistoletë me katër karikatorë dhe gjashtëdhjetë e dy (62) fishekë, një pushkë gjuetie me dylbi, njëzet fishekë (20), dy antiplumba dhe një veturë me targa të huaja”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkaq, i dyshuari kryesor për vrasjen gjendet në arrati.

“ Me aktvendim të prokurorit kujdestar, i arrestuari është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër ndodhet në arrati. Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti nën procedurë hetimore”, thuhet ndër të tjera në raportin e Policisë.

E para syve të djalit të tyre 4 vjeçar dje në Podujevë u vra një burrë, ndërsa gruaja e tij u plagosë në stomak. Ngjarja ndodhi rreth orë 12:30 në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Viktima Valmir Breznica i njohur me nofkën “Dhia” ishte 30 vjeçar dhe i njëjti derisa ishte bashkë me gruan dhe djalin në një market në Podujevë dyshohet se u qëlluan me armë zjarri nga një person i moshës së mitur.

(Kosova Sot Online)