Presidentja Osmani raport të shkëlqyeshëm me homologun maqedon Pendarovskin

  • A.P /
  • 12 September 2023 - 17:02
Presidentja Osmani raport të shkëlqyeshëm me homologun maqedon Pendarovskin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe homologu i saj nga Maqedonia e Veriut, Stevo Pendarovski dje dhe sot dolën si përbri kryeministrave të tyre, duke konfirmuar se raportet ndërshtetërore janë të mira, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Osmani, e cila të hënën shkoi në Shkup për procesin e Bërdo-Brionit, u prit nga Pendarovski, me të cilin ajo tha se kanë “raport të shkëlqyeshëm”.

“Me presidentin Pendarovski kemi një raport të shkëlqyeshëm. Bisedojmë për sfidat, e kemi pasur përkrahjen e tij vazhdimisht në përballje me këto kriza. Unë e falënderoj Maqedoninë e Veriut për përkrahjen që na ka dhënë sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë votën e fundit për Këshillin e Europës dhe shpresoj dhe besoj që do të vazhdojë me një konstruktivitet dhe përkrahje të tillë”, tha Osmani para gazetarëve.

Fotografitë e takimit i publikoi në Facebook, duke shkruar kështu mbi to: “Afërsia jonë gjeografike, marrëdhëniet miqësore mes popujve tanë dhe vizioni euroatlantik, janë e përbashkëta e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”. Me Pendarovskiin, Osmani tha se diskutuan për “nxitjen e bashkëpunimit më të theksuar ndërmjet dy shteteve, stabilitetin rajonal, si dhe forcimin e partneritetit ekonomik”.

Edhe Pendarovski u shpreh i kënaqur nga takimi me Osmanin.

“Shprehëm kënaqësinë nga niveli i marrëdhënive bilaterale në mes dy shteteve, të cilat janë miqësore, dinamike dhe të bazuara në respektin e ndërsjelltë”, shkroi ai në Facebook.

(Kosova Sot Online)