Shikohet CD-ja nga vendi i ngjarjes ku u vra 30-vjeçari në Ferizaj, seanca mbyllet për publikun

  • S.A /
  • 13 September 2023 - 12:33
Shikohet CD-ja nga vendi i ngjarjes ku u vra 30-vjeçari në Ferizaj, seanca mbyllet për publikun

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të mërkurën ka vazhduar seanca ndaj të akuzuarit Qëndrim Januzi, i cili akuzohet se privoi nga jeta G.H, më 28 maj 2022 në Ferizaj, me pretendimin se i njëjti ia kishte djegur një veturë vëllait të tij, transmeton "Kosova Sot Online ".

Pas administrimit të provave, në këtë seancë është bërë shikimi i video-incizimit të vendit të ngjarjes ku u vra 30-vjeçari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Ismet Rrahmani, ka thënë se për çështje të prezencës së publikut gjatë shikimit të CD-së, të vendos trupi gjykues.

Avokati palës së dëmtuar Bekim Sylejmani ka propozuar që kjo seancë të mbyllet për publikun, për shkak të ndjeshmërisë.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Januzi, avokati Florim Vërtopi tha se kjo seancë duhet të shikohet në prezencë të publikut.

“Nuk i frikësohemi të vërtetës, ne e dimë se kjo video veçse është dal në media, duhet të shfaqet edhe sot në seancë publike”, tha avokati Vërtopi

Kryetari i trupit gjykues, Habib Zeqiri mori vendim që seanca të mbyllet për publikun gjatë shikimit të kësaj video të vendit të ngjarjes.

Ndryshe, në seancën e djeshme për këtë rast ka dëshmuar vëllai i të akuzuarit Qëndrim Januzi, Betim Januzit i njohur me nofkën Buta, i cili tha se djegia e veturës së tij nuk ishte motivi i kësaj vrasje.

Paraprakisht në seancën e së martës është dëgjuar babai i viktimës G.H., Vehbi Hyseni, i cili tha se i akuzuari ia ka vrarë të vetmin djalë.

“Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 28 maj 2022, rreth orës 00:53, në Ferizaj, në rrugën “Rexhep Bislimi”, përkatësisht para hyrjes së marketit “Euro Market”, i pandehuri me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.H, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tij për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me ç’rast me të takuar të ndjerin, ka shtënë gjashtë (6) herë në drejtim të tij me armë zjarri, të tipit “SAUER model 38 H” e kalibrit 7.65mm dhe si pasojë e të shtënave nga plagët e marra i ndjeri ndërron jetë ashtu siç është konstatuar në raportin e autopsisë, me të cilin konstatohet shkaku i vdekjes, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë lidhur me ngritje të aktakuzës.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Q.J., nga koha e pa përcaktuar e deri me datën 28.05.2022, në Ferizaj, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka poseduar armën e markës “SAUER model 38H” e kalibrit 7,65 x 17mm, me një karikator me kapacitet prej (8) tetë fishekëve të kalibrit 7.65x17mm, me të cilën armë kishte kryer veprën penale të përshkruar si në dispozitivin e I të kësaj aktakuze, ku e njëjta sekuestrohet”, thuhet tutje.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së,

Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Ferizaj, që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale për të cilën akuzohet.

(Kosova Sot Online )