Ministri Elbert Krasniqi i përgjigjet ashpër Escobarit: Gjithçka përtej udhëzimit administrativ është kërkesë e Beogradit

  • S.A /
  • 13 September 2023 - 12:39
Ministri Elbert Krasniqi i përgjigjet ashpër  Escobarit: Gjithçka përtej udhëzimit administrativ është kërkesë e Beogradit

Ministri i Administratës së Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i ka quajtur kërkesa të Beogradit, thirrjet që kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës të dorëhiqen për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja.

Emisari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar u shpreh se “dorëheqjet janë rruga më e shpejtë dhe më e lehtë” e se “peticioni si nismë s’është provuar ndonjëherë”.

Krasniqi në konferencën për media të mërkurën ka mbrojtur udhëzimin administrativ që ka përpiluar Qeveria. Udhëzimi i hap rrugë ndërprerjes së mandatit të kryetarëve të komunave, vetëm nëse pas peticionit për largimin e tyre deklarohen së paku 50 për qind e trupës votuese të asaj komune.

“Udhëzimi administrativ është proces demokratik dhe gjithçka tjetër nuk është kërkesë e qytetarëve atje, por janë kërkesa të Beogradit. Ato nuk janë kërkesa në të mirë të qytetarëve”, ka thënë ai.

Krasniqi ka përsëritur se pengimin e serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje e ka bërë Beogradi.

“Largimi i tyre mund bëhet përmes formës që është shumë demokratike. Kush mund të garantojë që serbët do të marrin pjesë në zgjedhje nëse kryetarët japin dorëheqje? Për atë është e rëndësishme të kemi vullnet të qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje”, ka thënë ministri.

Ai ka deklaruar se udhëzimi është i bazuar në Ligjin për vetëqeverisje lokale.

Në prill në komunat veriore të Kosovës, të dominuara nga serbët, u zgjodhën për herë të parë katër kryetarë shqiptarë. Zgjedhjet u bojkotuan nga serbët të cilët pasi kryetarët nisën ushtrimin e funksionit nga zyrat, nisën protesta. Pas tensioneve të krijuara, u kërkua nga ndërkombëtarët që kryetarët të mos ushtrojnë detyrat nga objektet komunale. Më vonë Kosova arriti dakordim me Bashkimin Evropian për heqjen e forcave policore nga objektet dhe përreth tyre, ndërsa ndër marrëveshjet ishte edhe shpallja e zgjedhjeve të reja. Si metodë, Qeveria ka propozuar udhëzimin e ri administratv. Ndërkombëtarët kanë kërkuar veprime më të shpejta. Që nga këto tensione, Kosova po përballet me sanksione nga BE-ja.

Ministri Krasniqi i ka cilësuar të padrejta masat ndaj Kosovës.

(Kosova Sot Online )