Administrohen provat në rastin e vrasjes së 30-vjeçarit

  • A.P /
  • 13 September 2023 - 16:29
Administrohen provat në rastin e vrasjes së 30-vjeçarit

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, janë administruar provat materiale në gjykimin ndaj të akuzuarit Qëndrim Januzi, i cili akuzohet se privoi nga jeta G.H, më 28 maj 2022, me pretendimin se i njëjti ia kishte djegur një veturë vëllait të tij.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Florim Vërtopi ka dhënë propozime për plotësim të provave, duke propozuar që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen, neuropsikiatri dr.Fahri Drevinja, si dhe Besnik Berisha, Labinot Lalinovci, Rinor Zymeri, Vahid Istrefi, Elion Jahiri, Agon Zeqiri, Agon Rexhepi, Nehat Stublla dhe Gramoz Halili.

Po ashtu, i njëjti propozoi që si provë materiale të lexohet raporti i Ordinancës Psikiatrike “Rina”, si dhe të administrohet si provë fotografia e nxjerrë nga rrjetet sociale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, avokati Vërtopi ka propozuar që të bëhet ekzaminim ndërkombëtar i telefonit dhe SIM-kartelës së të ndjerit, po ashtu të bëhet nxjerrja e video-incizimeve nga kamerat të cilat mirëmbahen nga “EveryDayGrup” në kompleksin SNA.

Avokati Vërtopi, tutje propozoi që të administrohen si prova deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në Polici dhe Prokurori. Gjithashtu, i propozoi trupit gjykues që të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes.

Prokurori Ismet Rrahmani dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Bekim Sylejmani, i kanë kundërshtuar në tërësi këto propozime.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Habib Zeqiri mori aktvendim në bazë të së cilit janë aprovuar pjesërisht provat e propozuara nga avokati Vërtopi.

Sipas vendimit, është aprovuar që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen neuropsikiatri dr.Fahri Drevinja, Besnik Berisha, Labinot Lalinovci dhe Rinor Zymeri, poashtu është aprovuar që si provë materiale të lexohet raporti i Ordinancës Psikiatrike “Rina” i përpiluar nga dr.Fahri Drevinja

Ndërsa, u refuzua propozimi që të dëgjohen dëshmitarët Vahid Istrefi, Elion Jahiri, Ergent Jahiri, Agon Zeqiri, Agon Rexhepi, Nehat Stublla dhe Gramoz Halili.

Gjithashtu, është refuzuar propozimi që të administrohet si provë fotografia e nxjerrë nga rrjetet sociale, është refuzuar edhe propozimi për ekzaminim ndërkombëtar i telefonit dhe SIM kartelës së të ndjerit. Po ashtu, është refuzuar që të bëhet nxjerrja e video-incizimeve nga kamerat të cilat mirëmbahen nga “EveryDayGrup” në kompleksin SNA, u refuzua që të administrohen si prova deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në Polici dhe Prokurori.

Trupi gjykues sipas vendimit, ka refuzuar edhe provën e fundit të propozuar nga avokati Vërtopi, që të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes.

Kryetari i trupit gjykues, Habib Zeqiri tha se këto prova janë refuzuar pasi që nuk janë relevante dhe nuk do të ndriqonin diçka të rëndësishme për këtë çështje.

Kurse, lidhur me administrimin e provave në këtë seancë, prokurori Rrahmani dhe avokati Sylejmani nuk patën vërejtje në provat e administruara, ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Vërtopi i ka kundërshtuar në kuptim të mbrojtjes, lidhur me pjesën e dispozitivit të aktakuzës.

Në këtë seancë, paraprakisht është shikuar video-incizimi i vendit të ngjarjes, me ç’rast seanca me vendim të kryetarit të trupit gjykues Habib Zeqiri, është mbyllur për publikun për këtë pjesë.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 13 tetor 2023.

(Kosova Sot Online)