Ambasada e Gjermanisë: Kosova dhe Serbia të angazhohen për themelimin e Asociacionit

  • A.P /
  • 13 September 2023 - 17:42
Ambasada e Gjermanisë: Kosova dhe Serbia të angazhohen për themelimin e Asociacionit

Pas disa muajsh në tavolinën e dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, do të rikthehen të enjten e 14 shtatorit në Bruksel, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë kanë thënë se Berlini zyrtar vlerëson faktin që më 14 shtator do të mbahet takim i nivelit të lartë dhe kanë shprehur mbështetjen gjermane për procesin që e ndërmjetëson Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell dhe emisari Miroslav Lajcak.

Nga Ambasada e Gjermanisë kanë potencuar se është urgjente që Kosova dhe Serbia të angazhohen dhe përkushtohen plotësisht për de-eskalim dhe për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit.

“Është urgjente që të dyja palët të angazhohen plotësisht dhe të përkushtohen për de-përshkallëzimin dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit, duke përfshirë krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, kanë potencuar nga Ambasada e Gjermanisë.

Këtë takim që do të mbahet në Bruksel, Gjermania e sheh si një mundësi të mirë për të lënë anash menaxhimin e krizave dhe për t’u rikthyer tek një proces kredibil dhe konstruktiv.

“Takimi ofron një mundësi të mirë për t’u larguar nga modeli i menaxhimit të krizave dhe përfundimisht për t’u kthyer në një proces të besueshëm dhe konstruktiv”, përfundon përgjigja.

(Kosova Sot Online)