Gashi: BE dhe ShBA kërkojnë Asociacion pa njohje

  • A.P /
  • 14 September 2023 - 21:45
Gashi: BE dhe ShBA kërkojnë Asociacion pa njohje

Shkëlzen Gashi, aktivist, ka folur për zhvillimet e fundit rreth dialogut Kosovë – Serbi, ku të enjten në Bruksel ka pasur takim të nivelit të lartë në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Gashi ka thënë se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian po i kërkojnë Kosovës Asociacion të komunave me shumicë serbe pa njohje nga Serbia.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës nuk duhet ta pranojë këtë, pasi e ka për detyrë mbrojtjen e interesit të Kosovës.

”Nuk ka me pas marrëveshje sepse Serbia nuk ka me pranu me zbatu këtë. Bashkësia ndërkombëtare po i mbështetë kërkesat e Serbisë, jo pse është me Serbinë, poqë interesi i bashkësisë ndërkombëtare përputhet me interesin e Serbisë, siç ka ndodhur që interest e bashkësisë ndërkombëtare të përputhen me ato të Kosovës”.

“Bashkimi Evropian, SHBA-ja po e thonë se duhet me u bë Asociacioni pa njohje, e kryeministri i Kosovës e ka për detyrë me e mbrojt interesin e Kosovës e nuk duhet me pranu Asociacionin pa njohje nga Serbia”, ka thënë Gashi.

Më tutje, ai ka deklaruar se kryeministri Kurti nuk dorëhiqet për shkak të presionit nga bashkësia ndërkombëtare.

Por ai nuk përjashton ndonjë skenar të rrëzimit të tij, siç e përmend pranverën e vitit 2020 të përplasjes së Kurit me emisarin e atëhershëm amerikan për dialogun, Richard Grenell.

Por Gashi thotë se “një përsëritje e tillë“, do ta rriste Kurtin shumë elektoralikisht, duke e bërë edhe më të vështirë implementimin e Asociacionit. 

(Kosova Sot Online)