Hovenier: SHBA ka investuar mbi 2 miliardë dollarë në Kosovë

  • A.P /
  • 15 September 2023 - 15:19
Hovenier: SHBA ka investuar mbi 2 miliardë dollarë në Kosovë

Në mes të Kosovës dhe USAID’it, sot është nënshkruar marrëveshja e grantit për objektiva zhvillimore në vlerë prej 34 milionë e 727 mijë dollarëve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Nënshkrimin e bëri Presidentja e Shtetit, Vjosa Osmani, bashkë ushtruesën e detyrës së drejtoreshës së USAID-it, Kerry Monaghan Hogler. Në ceremoni, prezent ishte edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

Në një deklarim para mediave, ambasadori Hovenier tha se, që nga viti 1999, ShBA-ja ka investuar më tepër se 2 miliardë dollarë në Kosovë.

“Gjithashtu, mendoj se është e dobishme që të thuhet se prej vitit 1999, SHBA-ja ka investuar më shumë se 2 miliardë dollarë në Kosovë për të çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta, përfshirë investime mbi 1 miliard dollarë nga USAID. Besoj që ky është përkushtimi i popullit tonë ndaj popullit kosovar siç ishte edhe marrëveshja e nënshkruar sot”, tha ai.

Tutje, Hovenier konfirmoi se lidhja e SHBA-ve me popullin e Kosovës është e qëndrueshme derisa shtoi se marrëveshja e nënshkruar sot mbështet qëllimet strategjike të vendit.

“Konfirmojmë sërish partneritetin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të SHBA-së me popullin e Kosovës dhe ky fond shtesë do të mbështesë qëllimet strategjike të SHBA-së për Kosovën, përfshirë përpjekjet për avancimin e integrimit të Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike”.

Osmani me ambasadorin Hovenier është takuar edhe mbrëmë, për siç u tha një takim të rregullt mes tyre.

U bë e ditur se aty u fol për zhvillimet e fundit në vend si dhe e para e shtetit paralajmëroi një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve te Bashkuara në New York.

(Kosova Sot Online)