Hamiti: Kurti është i pabesueshëm për ndërkombëtaret

  • A.P /
  • 15 September 2023 - 12:14
Hamiti: Kurti është i pabesueshëm për ndërkombëtaret

Kryeministri Albin Kurti është i pabesueshëm për ndërkombëtaret, ka deklaruar anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai ka thënë se më askush nuk i zë besë të parit të Qeverisë së Kosovës.

Hamiti ka shkruar se vetëm brenda një jave Kurti është dëmtuar dy herë, nga Greqia dhe BE-ja.

“Kush i zë besë më Albin Kurtit? Askush që e ka kuptuar sjelljen e tij: tjetërsend flet, tjetërsend bën. Fjalët i ndërron, qëndrimet po ashtu, shpeshëherë për 180 shkallë (ajo që në anglisht quhet ‘u-turn’). Nëse këto ia fal opinioni në Kosovë, ose edhe nëse s'ka se si e sanksionon hëpërhë, bota nuk ia fal. Shihni dy përgënjeshtrimet publike që iu bënë Albin Kurtit këtë javë. Paralajmëroi ai para nja 10 ditësh se Greqia është më afër njohjes së Kosovës. Provokoi pa nevojë demantin e Greqisë pak ditë më vonë, që tha se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar”, ka shkruar ai, duke shtuar se përgënjeshtrimin e dytë ia ka bërë BE-ja për takimin e djeshëm.

“Kurti tha dje mbas takimit me presidentin e Serbisë në Bruksel se ai, kryeministri, në emër të Qeverisë së Kosovës, ishte i vetmi që kishte paraqitur një propozim rreth sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes Bruksel/Ohër. E përgënjeshtroi sot Bashkimi Evropian (BE), lehtësuesi i dialogut Kosovë – Serbi. Dokumentin e propozimit të BE-së e botoi Koha.net. Këto janë vetëm huqjet më të reja diplomatike të kësaj Qeverie”, ka shkruar Hamiti.

(Kosova Sot Online)