Ukraina thotë se ka marrë kontrollin e një fshati

  • A.P /
  • 15 September 2023 - 16:50
Ukraina thotë se ka marrë kontrollin e një fshati

Ushtria e Ukrainës tha të premten se ka rimarrë kontrollin e fshatit Andriivka, rreth 10 kilometra në jug të qytetit Bakhmut të pushtuar nga Rusia, pas luftimeve intensive me trupat ruse, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Çlirimi i këtij fshati do të përbënte një fitore tjetër në kundërofensivën e Kievit që synon rimarrjen e territorit të kontrolluar nga Moska.

Autoritetet ruse nuk kanë konfirmuar ose komentuar lidhur me njoftimin.

Po të premten, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë konfirmoi se një sulm me raketa që kishte në shënjestër qendrën detare të flotës ruse në Detin e Zi në Krime në fillim të kësaj jave mund të ketë dëmtuar rëndë pjesë të këtij objekti.

Ndërkohë presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy pritet të vizitojë Uashingtonin javën e ardhshme, ndërsa Kongresi po vazhdon debatet për një ndihmë të re prej 21 miliardë dollarësh për Ukrainën. Zoti Zelenskyy pritet të takohet me Presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

(Kosova Sot Online)