Prokuroria ngre aktakuzë ndaj një personi

  • A.P /
  • 15 September 2023 - 18:34
Prokuroria ngre aktakuzë ndaj një personi

Prokuroria Speciale e Kosovës (PSK) ka ngritur të premten aktakuzë kundër një personi me inicialet B.V, nën dyshimin se kishte përgatitur sulme terroriste në Kosovë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai akuzohet se kishte përgatitur sulme “me materiale të rrezikshme dhe vdekjeprurëse” në sheshin e Prishtinës kundër komunitetit LGBTI, si dhe në pikën kufitare Merdarë, tha Prokuroria.

Policia e Kosovës e arrestoi atë në shkurt të këtij viti.

I dyshuari kishte përdorur nitrat kaliumi për të përgatitur sulme terroriste në vend, sipas Prokurorisë.

“Me këto veprime i pandehuri B.V. ka kryer veprën penale ‘përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’”, njoftoi PSK-ja.

Sipas ligjeve në Kosovë, për vepra terroriste dhe kundër rendit kushtetues parashihen dënime të ndryshme. Që nga viti 2015, në Kosovë po ashtu ndalohet pjesëmarrja në luftëra të huaja dhe sipas ligjit, parashihen dënime deri në 15 vjet burgim.

(Kosova Sot Online)