Presidenti shqiptar Bajram Begaj niset drejt ShBA’së

  • A.P /
  • 17 September 2023 - 13:47
Presidenti shqiptar Bajram Begaj niset drejt ShBA’së

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, do të niset sot për në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Begaj do të kryesojë delegacionin shtetëror të Republikës së Shqipërisë, që do të marrë pjesë në javën e punimeve të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme (AP) të Kombeve të Bashkuara, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Së bashku me kryetarët e shteteve/qeverive të të 193 vendeve anëtare të OKB-së, Begaj do të mbajë fjalën, në cilësi kombëtare, në debatin e përgjithshëm të AP të Kombeve të Bashkuara.

Gjithashtu, Begaj, do të marrë pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm, i cili do të mbahet në Nju Jork, në vigjilje të Sesionit të 78-të të AP të OKB.

Edhe në këtë forum, Presidenca shqiptare njofton se Begaj do të mbajë fjalën, në emër të Shqipërisë, në Segmentin e dedikuar të Dialogut të Udhëheqësve, përkrah kryetarëve të delegacioneve zyrtare të vendeve të tjera,

Presidenti Begaj gjatë periudhës së qëndrimit ne Nju Jork do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me krerë të tjerë shtetesh dhe zyrtarë të lartë amerikanë, por edhe me përfaqësues të shoqatave të diasporës shqiptare në SHBA

(Kosova Sot Online)