Presidentja Osmani niset për në New York

  • A.P /
  • 17 September 2023 - 14:39
Presidentja Osmani niset për në New York

 Në kuadër të javës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për në New York, ku pritet të takohet me liderë botërorë e përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Presidentja është ftuar së bashku  me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, që të marrin pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden”, njoftoi Presidenca.

Edhe Zotëria i Parë, “gjithashtu është ftuar të marrë pjesë në një pritje të veçantë, të organizuar nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Jill Biden”, siç njofton Presidenca.

Përgjatë kësaj vizite, Osmani në takime me homologët e saj pritet të flasë për “zhvillimet e fundit në Kosovë, sikurse edhe për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare”. Ajo, siç njofton Presidenca, poashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate.

“Përveç takimeve, Presidentja do të mbajë diskutime në disa nga universitetet dhe institucionet më prestigjioze në SHBA”, thuhet në njoftim.

Në agjendën e Osmanit janë edhe disa aktivitete të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitet në SHBA.

(Kosova Sot Online)