Ja pse kjo linjë ajrore dëshiron që të udhëtoni pa rroba

  • A.P /
  • 18 September 2023 - 21:06
Ja pse kjo linjë ajrore dëshiron që të udhëtoni pa rroba

Nuk jeni të sigurt se çfarë të paketoni nga garderoba për pushimet në Japoni? Nëse fluturoni me Japan Airlines, ndoshta s’do të duhet të merrni asgjë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Linja ajrore ka nisur një praktikë të re, që do të testohet për një vit, e cila u lejon udhëtarëve të rezervojnë një set me rroba – që kanë stile të ndryshme dhe përshtaten në varësi të stinëve – dhe ta marrin në hotel pas mbërritjes. Në fund të qëndrimit, rrobat kthehen, lahen dhe futen përsëri në sistem.

Projekti titullohet “Any Wear, Anywhere” dhe ka si qëllim të zvogëlojë emetimet e karbonit duke zvogëluar peshën që transportojnë avionët.

“Kur udhëtoj, tri gjërat më të rëndësishme për mua janë akomodimi, ushqimi dhe veshja,” u shpreh për CNN menaxherja e projektit, Miho Moriya. “Kur udhëtojmë jashtë vendit, ka hotele dhe restorante që ofrojnë akomodim dhe ushqim, por jo veshje. Pse duhet t'i sjellim rrobat nga shtëpia?"

Ndikimi i vërtetë i projektit përsa i përket zvogëlimit të emetimeve të karbonit do të llogaritet në fund, megjithatë, ulja e peshës është provuar që redukton emetimet dhe është marrë parasysh nga prodhuesit e avionëve dhe linjat ajrore për një kohë të gjatë.

(Kosova Sot Online)