Arrestohet ngasësja e cila goditi për vdekje një këmbësor

  • A.P /
  • 18 September 2023 - 16:18
Arrestohet ngasësja e cila goditi për vdekje një këmbësor

Pasi është goditur nga një veturë në rrugën “Xhevat Dogani” në Drenas, një person ka vdekur, derisa ngasësja është arrestuar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se rasti ndodhi paraditen e sorme dhe se vdekjen është konstatuar në QKUK.

“Sot rreth orës 10:40 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘Xhevat Dogani’ – Drenas ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë, një këmbësor dhe një veturë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore kanë pësuar këmbësori, i cili nuk ka arritur të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK”, tha Ahmeti.

Ajo tha se Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave që kanë çuar deri te ky aksident trafiku, ndërkohë që ngasësja e automjetit të përfshirë në aksident është arrestuar.

(Kosova Sot Online)