Kurti thumbon Rakiqin duke e lavdëruar Rashiqin

  • A.P /
  • 19 September 2023 - 16:07
Kurti thumbon Rakiqin duke e lavdëruar Rashiqin

Sot një marrëveshje prej tre milionë eurove që do të ndihmojë financiarisht biznesmenët nga radhët e komuniteteve në Kosovë, e kanë nënshkruar kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kurti ka thënë se një punë e tillë është meritë ekskluzive e ministrit Nenad Rashiq, duke shtuar se vetë ka qenë kryeministër edhe vitin e kaluar, por që punë të tilla kërkojnë ministra si Nenad Rashiq.

Kjo deklaratë e Kurtit duket se ka qenë edhe thumb për ish-ministrin Goran Rakiq, i cili ka braktisur detyrën në fund të vitit të kaluar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat

“Unë kam qenë kryeministër edhe vitin e kaluar, por kjo punë dhe ky rezultat e do një ministër si Nenad Rashiq që të realizohet”, ka thënë Kurti.

Ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës fillimisht ishte emëruar kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili kishte braktisur postin e tij në nëntorin e vitit të kaluar kur serbët kishin vendosur të lëshojnë institucionet qendrore, gjykatat dhe Policinë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.

Pas kësaj, Kurti e ka zëvendësuar atë me Nenad Rashiqin të cilin më 1 dhjetor 2022 e ka emëruar Ministër për Kthim dhe Komunitete.

(Kosova Sot Online)