Kurti pret delegacionin norvegjez nga Asambleja Parlamentare e KiE

  • A.P /
  • 19 September 2023 - 16:17
Kurti pret delegacionin norvegjez nga Asambleja Parlamentare e KiE

Kryeministri Albin Kurti bashkë me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti mirëpritën në ndërtesën e Qeverisë delegacionin norvegjez nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE), të udhëhequr nga deputetja Ingjerd Schou, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Aty u diskutua për aplikimin e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Europës. Kryeministri ritheksoi dhe rikonfirmoi përkushtimin e vendit tonë për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare dhe për respektimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, si vlera kryesore e Këshillit të Europës e të përbashkëta me Kosovën.

Ai e njoftoi delegacionin nga Norvegjia me aktualitetin politik, zhvillimet e fundit, dhe punën e qeverisë. Diskutuan për përfitimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës dhe për progresin në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit në dy vitet e fundit që e kanë bërë aplikimin tonë të natyrshëm.

Kurti falënderoi Norvegjinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe për përkrahjen e kandidaturës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës.

(Kosova Sot Online)