Ja premtimet më interesante të 'Rrugës së Re'

  • A.P /
  • 19 September 2023 - 16:25
Ja premtimet më interesante të 'Rrugës së Re'

 Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, i ka publikuar në dy vazhdime zotimet më të rëndësishme të LDK-së. Buxhet 4,5 miliardë euro, stadium kombëtar, qendër të re spitalore, privatizimi i telekomi e aviokompani kombëtare janë disa nga premtimet që bien në sy, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

 

Dje Abdixhiku e nisi prezantimin e 100 projekteve e zotimeve të “Rrugës së Re”, duke e cilësuar si “antidot i zymtësisë së tanishme, si shërues i polarizimit përçarës”.

“Me bashkudhëtarët e Lidhjes - dhe jo vetëm - do të shpalosim secilin projekt në detaje. Do të hapim debate të gjëra në gjithë vendin. Do ta shpalosim të djathtën tonë si vlerë përparimtare e zhvillimore. Si antidot i zymtësisë së tanishme; si shërues i polarizimit përçarës; si shpërthim i ngufatjes në të shkuarën.” – shkroi Abdixhiku.

Premtimet kryesore

Që në sllajdin e parë, LDK-ja e jep një premtim madhor. LDK-ja e Abdxhikut premton se buxhet në vlerë prej 4.5 miliardë euro deri në fund të mandatit të parë, ndërsa rritje ekonomike nga 4 deri 5 për qind në vit. Në hyrje të “sllajdeve” të botuara nga Abdixhiku, LDK-ja premton ndërtim të centralit me gaz në vlerë prej 500 milionë eurove, që pritet të financohet nga Fondi pensional i Kosovës.

LDK-ja premton edhe dy autostrada, më saktësisht atë të Pejës, që parashihet të kushtojë 220 milionë euro dhe një autostradë të Anamoravës, në vlerë prej 170 milionë euro. Autostrada e Pejës pritet të financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD).

LDK-ja premton edhe qendër të re spitalore në Prishtinë, që pritet të kushtojë 250 milionë euro, e cila do të financohet nga kredia dhe bashkëfinancim i jashtmë. Ndërsa në programin për fëmiun e tretë, LDK-ja e Abdixhikut premton 5000 euro për fëmiun e tretë.

Një premtim tjetër i madh është ai për unazën e kryeqytetit, që parashihet të kushtojë 350 milionë euro, i cili investim do të mbulohet në bashkëfinancim me EBRD. 120 milionë euro, sipas LDK-së, do të investohet në një fond të teknologjisë. Barna falas për pensionistët, sigurime shëndetësore dhe Ministri për Familjen dhe Mirëqenien janë disa nga premtimet e tjera të “Rrugës së Re”.

Përveç Ministri të Familjes, LDK-ja premton edhe buxhet 200 milionë euro për FSK-në, ndërtimin e kazermave e lagjeve ushtarake dhe rekrutim të 2000 ushtarëve të rinj. Madje, LDK-ja e Abdixhikut ka premtuar edhe arsimim ushtarak në shkolla.

“Arsimim ushtarak në shkolla. Lëndë obligative për klasët 11 dhe 12.” – shkruhet në postimin e Abdixhikut.

Ndërsa në fushën e ekonomisë dhe financave, LDK-ja ka premtuar privatizimin e telekomit dhe themelimin e një aviokompanie kombëtare, e cila pritet të kushtojë 80 milionë euro, ndërsa do të financohet bashkarisht përmes partneritetit publiko-privat.

Në programin e “Rrugës së Re”, parashikohet të themelohet edhe një Ministri e Teknologjisë dhe një qendër kërkimore për inteligjencë artificiale, që do të financohet me 7 milionë euro, ndërsa parku teknologjik do të kushtojë 30 milionë euro.

Në fushën e drejtësisë, LDK-ja angazhohet për vetting në drejtësi, pajisje për audio-inçizim në të gjitha gjykatat e digjitalizim të sistemit të drejtësisë.

(Kosova Sot Online)