Kthehen në SHBA 5 qytetarët e burgosur në Iran

  • A.P /
  • 19 September 2023 - 17:14
Kthehen në SHBA 5 qytetarët e burgosur në Iran

Makthi më në fund mbaroi për 5 qytetarët amerikan të burgosur prej vitesh në Iran, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ata bënë një rikthim emocional në Shtetet e Bashkuara, mes lotëve dhe përqafimeve të familjarëve, një ditë pasi u liruan si pjesë e një marrëveshje kontroverse, që parashikonte shkëmbimin e tyre me 5 të burgosur iranianë në SHBA, dhe zhbllokimin e fondeve prej 6 miliardë dollarësh të Iranit nga Koreja e Jugut.

“Është e mrekullueshme. Jemi mirënjohës që mund të jemi bashkë pas gati 8 vitesh.. Duket si një ëndërr më në fund, makthi mbaroi…,” shprehet Babak Namazi, vëllai i një të liruari.

Tre nga pesë te burgosurit iranianë në SHBA, që sipas Uashingtonit janë dënuar kryesisht për shkelje të sanksioneve amerikane, janë vendosën pas lirimit të mos kthehen në Teheran.


Ndërsa, qytetarët amerikanë, sipas pretendimeve të Shteteve të Bashkuara janë burgosur për qëllime politike.

Avioni me shtetasit amerikan, u ul në Virxhinia paraditen e së martës, pasi më herët fluturuan nga Teherani drejt Dohas.

Mes tyre, përfshihen biznesmeni 51-vjeçar Siamak Namazi i cili ka kaluar 8 vite në burgun famëkeq Evin në kryeqytetin Iranian, biznesmeni Emad Shargi dhe ambientalisti Morad Tahbaz.

Katari ishte vendi që ndërmjetësoi marrëveshjen mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Presidenti amerikan mirëpriti lirimin e tyre, siç tha, pas disa vitesh agoni dhe vuajtje, dhe u zotua se do të vazhdojë të ndëshkojë Teheranin për veprimet provokuese në rajon

(Kosova Sot Online)