Afera Rama-McGonigal/ Zhvillimi i bujshëm nga Kongresi i SHBA

  • A.P /
  • 19 September 2023 - 18:54
Afera Rama-McGonigal/ Zhvillimi i bujshëm nga Kongresi i SHBA

Kongresi amerikan pritet të lëshojë fletëthirrje për FBI-në për rastin që ka tronditur politikën amerikane dhe atë shqiptare, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas Business Insider, Komisioni i Gjyqësorit në Dhomën e Përfaqësuesve ka kërcënuar se do të thërrasë FBI-në për një mori të dhënash për Charles McGonigal, i cili është paditur për dy dosje të ndryshme.

Në letrën që kreu i komisionit, republikani Jim Jordan i ka dërguar drejtorit të FBI, Christopher Wray, hidhen dyshime mbi marrëveshjet e fajësisë që po pranon McGonigal në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit.

“FBI dhe Departamenti i Drejtësisë mund të jenë duke u përpjekur të fshehin shtrirjen e vërtetë të abuzimeve nga McGonigal në përpjekje për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të reputacionit të Byrosë,” shkruan Jim Jordan në letrën e të martës.

Jordan kërkoi fillimisht nga FBI në shkurt që të dorëzonte dokumentet në lidhje me McGonigal, pak ditë pasi ai u padit në Uashington dhe Nju Jork.

Byroja nuk u përgjigj kurrë përveç pranimit të letrës, tha një zëdhënës i komisionit për Insider.

(Kosova Sot Online)