Detaje nga vrasja në Malishevë e cila u krye rreth orës 07:00 të mëngjesit

  • A.P /
  • 20 September 2023 - 15:18
Detaje nga vrasja në Malishevë e cila u krye rreth orës 07:00 të mëngjesit

Avni Basha dyshohet të jetë vrarë nga kolegu i tij i punës, Isuf Zogaj, në afërsi të një pompe derivatesh, në rrugën Banjë-Bellanicë, në orën 07:00 të mëngjesit u krye një vrasje, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Dyshimet e para janë se në këtë rast tragjik janë të përfshirë dy persona të cilët kanë qenë koleg të punës. Isuf Zogaj dyshohet ta ketë vrarë me armë zjarri shokun e tij, Avni Bashen.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ekipi mjekësor i Emergjencës, konstatoi vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes.

“Rreth orës 07:15 është raportuar se në fshatin Banjë-Malishevë, viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jetë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Ekipi mjekësor i cili ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij. Një person, po ashtu mashkull i moshës madhore, është dorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë dhe nga hetimet e para dyshohet se i njëjti, për motive ende të panjohura, ka qëlluar viktimën me armë zjarri”, tha Elezaj.

Ndërkohë i dyshuari është dorëzuar në stacion policor, ku është intervistuar dhe me urdhër të prokurorit tashmë është dërguar në mbajtje.

Sipas dyshimeve të para, deri te rasti tragjik ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshje rreth punës. Prokuroria pritet të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin.

(Kosova Sot Online)