Kryesuesi i bordit të 'Trafiku Urban' lirohet nga akuza për korrupsion

  • A.P /
  • 20 September 2023 - 16:03
Kryesuesi i bordit të 'Trafiku Urban' lirohet nga akuza për korrupsion

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga akuza për korrupsion, ish-kryesuesin e bordit të NPT “Trafiku Urban”, Ruhan Beha, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Shpallja e aktgjykimit u bë të mërkurën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dermaku.

“Lirohet nga akuza se nuk u provua se i njëjti ka kryer veprën penale “Konflikt i interesit” nga neni 470, par.1,3 dhe 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha gjykatësja Dërmaku.

E njëjta ka njoftuar se pala e dëmtuar Lulzim Rexhepaj, për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest civil.

Ndërkaq, shpenzimet e procedurës penale bien në barrë buxhetore te Gjykatës.

Kurse, pala e pakënaqur kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh pasi te njëjtit t’a pranojnë aktgjykimin në formë të shkruar.

Ndryshe, Beha në shkurt të vitit 2020, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrim i ndikimit”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 tetor 2020, Ruhan Beha në cilësinë e kryesuesit të Bordit të drejtorëve të NPT “Trafiku Urban”, në Prishtinë, në vazhdimësi nga shtatori e deri në dhjetor 2019, kishte kërkuar nga vartësi i tij Lulzim Rexhepaj, i cili kishte pozitën e kryeshefit ekzekutiv, që t’ia punësojë bashkëshorten e tij Lendita Beha, e cila ka qenë e angazhuar si praktikante në entin për punësim.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Beha fillimisht kishte kërkuar që të hapet konkursi për pozitën e zyrtarit të IT-së e pas shpalljes së konkursit, kishte insistuar dhe drejtuar kanosje që bashkëshortja e tij të punësohet në këtë konkurs.

Siç thuhet në aktakuzë, kur i dëmtuari Lulzim Rexhepaj më 23 dhjetor 2019, kishte marrë vendim për anulimin e konkursit, i pandehuri Beha kishte filluar iniciativën për shkarkimin e tij, duke e bërë draftin e vendimit për shkarkimin e tij dhe duke e kërcënuar se do të rrahë të dëmtuarin.

Për këto veprime, Beha thuhet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 3, nënparagrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)