Zelensky - Edi Ramës: I treguat botës si trajtohet Rusia dhe rrenat e saj

  • A.P /
  • 20 September 2023 - 18:26
Zelensky - Edi Ramës: I treguat botës si trajtohet Rusia dhe rrenat e saj

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka falënderuar publikisht kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pasi ky i fundit në cilësinë e drejtuesit të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është përplasur me përfaqësuesin e Rusisë, Vasily Nebenzia, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zelensky ka falënderuar Ramën që i ka treguar botës se si duhet ta trajtojë saktë Rusinë, gënjeshtrat dhe hipokrizinë e saj.

“Faleminderit Edi Rama, sot në Këshill të Sigurimit të OKB-së ju i treguat botës se si ta trajtojë saktë Rusinë, gënjeshtrat dhe hipokrizinë e saj. Ju falënderoj që e drejtoni Presidencën në një mënyrë kaq parimore”, ka shkruar Zelensky në platformën “X”.

Edi Rama ka polemizuar me Nebenzian e Rusisë pasi kishte vendosur t’ia japë fjalën të parit, Volodymyr Zelenskyt, dhe më pas edhe kryediplomatit maqedonas, Bujar Osmanit, si përfaqësues i OSBE-së.

Rama i ka thënë përfaqësuesit rus se është e lehtë nëse pranon për të bërë një marrëveshje, që Rusia ta ndalë luftën në Ukrainë dhe Zelensky s’ka nevojë ta marrë fjalën fare.

(Kosova Sot Online)