Detaje nga takimi mes Borrellit dhe liderëve të Ballkanit Perëndimor

  • A.P /
  • 20 September 2023 - 20:34
Detaje nga takimi mes Borrellit dhe liderëve të Ballkanit Perëndimor

Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë/Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Josep Borrell, organizoi një takim informal me liderët e Ballkanit Perëndimor të martën në Nju Jork, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në këtë takim këtë vit morën pjesë të gjashtë presidentët nga rajoni.

“Këto takime informale zhvillohen rregullisht në kuadër të bashkëpunimit të zgjeruar me partnerët e Ballkanit Perëndimor për politikën e jashtme. Ato ofrojnë gjithashtu një mundësi për shkëmbim të pikëpamjeve rreth sfidave në rajon dhe të ardhmes së tij evropiane.”, thuhet në njofitm.

Diskutimi u përqendrua në sfidat aktuale gjeopolitike globale që dominojnë agjendën në OKB këtë javë, si dhe u fokusua në zgjerimin dhe idetë rreth integrimit gradual të partnerëve në Bashkimin Evropian.

Borrell dhe liderët e Ballkanit Perëndimor diskutuan si mund t’i adresojnë së bashku pasojat e dëmshme që lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka sjellë në çmimet e ushqimeve dhe energjisë, si dhe në stabilitetin dhe sigurinë në Evropë dhe globalisht.

Po ashtu, Borrell theksoi mbështetjen që BE-ja po u jep vendeve të Ballkanit Perëndimor duke e asociuar plotësisht rajonin në iniciativat e veta për zbutjen e ndikimit të agresionit të Rusisë dhe për adresimin e sfidave të tjera, duke përfshirë sigurinë energjetike, sigurinë ushqimore dhe ndryshimet klimatike.

Tutje ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në forume shumëpalëshe.

Në këtë kontekst, ai rikujtoi se Bashkimi Evropian pret nga të gjitha vendet kandidate të jenë partnerë të besueshëm edhe në politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, duke përfshirë edhe përafrimin me vendimet e BE-së në këto fusha.

Takimi ishte gjithashtu një mundësi për të diskutuar pritjet për anëtarësimin në BE në një kohë kur politika e zgjerimit të BE-së ka marrë një momentum të ri.

Përfaqësuesi i Lartë përsëriti mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme të BE-së – politike, teknike dhe financiare – për të gjitha vendet kandidate dhe kandidatët potencialë për t’u ndihmuar të avancojnë reforma kyçe politike, institucionale, sociale dhe ekonomike që janë të nevojshme për avancim në rrugën e tyre drejt BE-së.

Në takim morën pjesë Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetari i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

(Kosova Sot Online)