Shpallen katër raca autoktone të gjelave në Kosovë

  • E.K /
  • 21 September 2023 - 13:55
Shpallen katër raca autoktone të gjelave në Kosovë

Instituti për Mbrojtjen e Natyrës, ka marrë në mbrojtje katër raca të ndryshme të gjelave autokton, përcjell “Kosova Sot Online”.

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ka bërë të ditur se ky vendim është marrë në kuadër të aktiviteteve për mbrojtjen e biodiversitetit, konkretisht faunës, me iniciativën e ministrit të Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Si lloje autoktone të gjelave janë shpallur: gjeli Këndimgjatë i Dukagjinit, gjeli Këndimgjatë i Gjilanit, gjeli Trengjyrësh dhe gjeli Pelikan.

“Me miratimin e këtyre vendimeve, llojet autoktone të gjelave: Gjeli Këndimgjatë i Dukagjinit, Gjeli Këndimgjatë i Gjilanit, Gjeli Trengjyrësh dhe Gjeli Pelikan i janë shtuar Regjistrit të Vlerave të Mbrojtura të Natyrës, që mirëmbahet nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës. Qëllimi kryesor i nxjerrjes së vendimeve është mbrojtja e llojeve të gjelave autokton sipas ligjit dhe përcaktimi i kushteve të mbajtjes. Gjithashtu përmes vendimeve synohet që llojet të mbrohen nga rreziku për përzierje gjenetike me racat e huaja dhe nga rreziku për nxjerrje jashtë vendit e këtyre racave me qëllim të kryqëzimit me racat tjera.Vendimet përmbajnë edhe arsyeshmërinë profesionale për marrjen në mbrojtje të llojeve të gjelave autokton, si dhe përshkrimin e karakteristikave themelore të tyre, të cilat janë hartuar nga një grup punues ndërinstitucional i udhëhequr nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)