Për tre serbët e dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile nga një muaj paraburgim

  • A.P /
  • 21 September 2023 - 17:19
Për tre serbët e dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile nga një muaj paraburgim

Nga një muaj paraburgim u është caktuar tre serbëve të arrestuar dje, si të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Lajmin e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Ajo tha se pak më parë ka përfunduar seanca ndaj të dyshuarve.

Për arrestimin e tre serbëve dje njoftuan Prokuroria Speciale në një komunikatë të përbashkët me Policinë e Kosovës.

“Prokuroria Speciale njofton se tre (3) të arrestuarit akuzohen për veprën penale ’Krimet e luftës kundër popullatës civile, veprime këto të sanksionuara sipas, nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ, aktualisht e penalizuar me nenet 31 dhe 153 të KPRK, në kundërshtim me nenin 3 të përbashkët  të 4 Konventave të Gjenevës, të datës 12 gusht 1949, të neneve 4 dhe 5 (1) të Protokollit 2 të datës 08 qershor 1977, shtojcë e Konventave të Gjenevës të vitit 1949, të gjitha rregullat e ligjeve ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe kurdoherë e rëndësishme për vendimin e tanishëm ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhej në njoftim.

(Kosova Sot Online)