Kurti përkujton Fehmi edhe Xhevë Lladrovcin: I përjetshëm qoftë kujtimi i të gjithë dëshmorëve

  • A.P /
  • 22 September 2023 - 16:09
Kurti përkujton Fehmi edhe Xhevë Lladrovcin: I përjetshëm qoftë kujtimi i të gjithë dëshmorëve

Kryeministri Albin Kurti ka publikuar një video të shkurtë të Fehmi Lladrovcit ku thoshte se me ra për Kosovën do të ishte “fati më i madh i jetës”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kurti shkroi pak edhe për biografinë e Lladrovcit, derisa kujtoi Xhevën, Shefqet Zekën dhe Fatime Hetemin, që ranë bashkë me të në betejë.

“I përjetshëm qoftë kujtimi i të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën në rrugën për çlirimin e Kosovës nga Serbia”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë:

“Fati im më i madh i jetës”. Kështu e kishte quajtur Fehmi Lladrovci vdekjen për lirinë e Kosovës.

Me ideale të larta kombëtare, Fehmi Lladrovci, inxhinieri i makinerisë nga Universiteti i Zagrebit, veprimtari i çështjes kombëtare, i burgosuri politik, luftëtari i UÇK-së, ia fali jetën lirisë. 

Më 22 shtator 1998, pas përballjes disa orëshe me njësi të forcave të armatosura serbe, ai ra dëshmor bashkë me Xhevë Lladrovcin, Shefqet Zekën dhe Fatime Hetemin. Fatimja është motra dëshmore e Kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Në këtë çerek shekull të rënies heroike, nderojmë kujtimin e të rënëve në Gradinë. I përjetshëm qoftë kujtimi i të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën në rrugën për çlirimin e Kosovës nga Serbia.

Lavdi!

(Kosova Sot Online)