Bërnabiq si Vuçiqi: Për gjithë çfarë ndodhi dje në veri të Kosovës, Kurti është fajtor

  • E.K /
  • 25 September 2023 - 10:18
Bërnabiq si Vuçiqi: Për gjithë çfarë ndodhi dje në veri të Kosovës, Kurti është fajtor

Pas fjalimit të kot të Vuçiqit me të cilin iu drejtua opinionit serb me përpjekje për “të justifikuar” sulmin terrorist të ekstremistëve të tij ndaj Policisë së Kosovës në veri të Republikës së Kosovës, pasojnë deklaratat e shërbëtorëve të tij, në përkrahje të liderin suprem, duke përsëritur fjalët e tij “sipas detyrës zyrtare”.

Në këtë “detyrë” nuk vonoi kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila mbrëmë deklaroi se “fajtori i vetëm për konfliktet në Kosovë, përfshirë incidentin e sotëm, është Albin Kurti”, duke shtuar se “presidenti ynë, Aleksandar Vuçiq, vazhdimisht ka paralajmëruar se mund të ndodhë një konflikt i tillë”.

“Kush e ka dëgjuar me vëmendje fjalimin e Vuçiqit, ka mundur të dëgjojë një paralajmërim se është plotësisht e mundur dhe e sigurt që një konflikt i tillë mund të ndodhë në Kosovë”, ka thënë Bërnabiq në televizionin e regjimit serb “TV Pink”.

Ajo ka pretenduar se “Vuçiq në këtë fjalim ka përmendur edhe se Kurti, pasi e ka refuzuar plotësisht propozimin e Brukselit për de-përshkallëzim, ka dalë para një prej ndërtesave më të rëndësishme të BE-së dhe ka thënë për mediat se “serbët duhet të vuajnë dhe të paguajnë” dhe se askujt nuk i bënë përshtypje këto fjalë, as SHBA, as BE-së”.

Ajo ka shtuar se Vuçiq ka paralajmëruar për “spastrimin etnik rrëshqitës dhe terrorin që përjetojnë serbët në Kosovë çdo ditë”.

“Sigurisht, i vetmi fajtor për gjithçka është Albin Kurti, i cili dëshiron konflikte dhe do të bëjë gjithçka për t’i provokuar ato. Por, në fund dikush po ia lejon”, përsërit Bërnabiq, ankimet e shefit të saj.

E pyetur se çfarë zhvillimi të situatës pret, Bërnabiq ka thënë se zyrtarët shtetërorë do të vazhdojnë bisedimet, “për të gjetur zgjidhjen më të mirë për Serbinë, popullin serb dhe paqen dhe stabilitetin”.

“Nuk jam e sigurt se si dhe çfarë, por situata në të cilën na solli Kurti, me heshtjen e komunitetit ndërkombëtar, është katastrofike. Dhe është e tmerrshme që në zemër të Evropës në shekullin 21 ekziston getoja e fundit evropiane”, ka pretenduar Bërnabiq.

Ajo veçanërisht ka paralajmëruar se dikush i ka dhënë Kurtit “carte blanche” që të merret me terroristët, pra sulmuesit e policisë dhe t’i vrasë ata, sepse kjo do të thotë se “në Kosovë nuk ka sundim të ligjit”.

Në deklaratën se ka pretendime se Serbia u ka dhënë uniforma dhe armë sulmuesve, Bërnabiq ka thënë se ”kjo është skandaloze”.

“Është një luftë hibride kundër Serbisë dhe serbëve në Kosovë. Çka është më e keqja, ajo po udhëhiqet nga Serbia, kryesisht nga Beogradi. Është e paprecedentë dhe duhet të turpërohen”, pretendon Bërnabiq.

(Kosova Sot Online)