Sarrazin përgëzon Kurtin për qasjen dhe menaxhimin e kujdesshëm të situatës

  • A.P /
  • 25 September 2023 - 16:27
Sarrazin përgëzon Kurtin për qasjen dhe menaxhimin e kujdesshëm të situatës

Emisarin gjerman, Manuel Sarrazin, bashkë me ambasadorin gjerman, Jorn Rohde, i ka pritur sot në takim kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Temë kryesore e këtij takimi ka qenë sulmi terrorist që iu bë dje Policisë së Kosovës nga i cili u vra në krye të detyrës rreshteri Afrim Bunjaku.

Kurti e  ka njoftuar emisarin gjerman me informacionet më të fundit në lidhje me sulmin e djeshëm dhe veprimet e institucioneve të sigurisë për garantimin e integritetit territorial, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.

Siç njofton Zyra për Media e kryeministrisë, Sarrazin ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen e të ndjerit dhe popullin e Kosovës dhe e ka  dënuar sulmin e djeshëm duke e cilësuar atë si kriminal dhe terrorist mbi Policinë e Kosovës, dhe dha mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës.

Sipas ZKM, Sarrazin gjithashtu e përgëzoi Kryeministrin për qasjen e matur dhe menaxhimin e kujdesshëm të situatës.

“Kryeministri falënderoi emisarin Sarrazin për vizitën e menjëhershme dhe për mbështetjen e Gjermanisë”, thuhet në njoftim.


(Kosova Sot Online)