Sveçla: Nuk kemi bilanc të saktë për terroristët e vrarë

  • E.K /
  • 26 September 2023 - 13:54
Sveçla: Nuk kemi bilanc të saktë për terroristët e vrarë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se nuk kanë bilanc të saktë mbi numrin e terroristëve të vrarë, përcjell “Kosova Sot Online”.

Mirëpo, Sveçla ka thënë se kanë indikacione se numri i tyre është më i madh se tre.

“Bilanc të saktë ende nuk kemi, jemi në vazhdim të aksionit, po flasim për një terren të vështirë. Kemi indikacioni që numri i tyre është më i madh se tre, kemi informata inteligjente, por derisa të arrijmë te të dëshmi të sakta nuk mund të jepim numrin e saktë. Lirisht mund të themi që kanë qenë diku mbi 30 terroristë të udhëhequr nga Radojiçiq. Ka edhe informata edhe video e bërë nga droni i policies, ku dëshmohet prezenca e Radojiçiq në konakun e manastirit atje”, tha Sveçla.

Sveçla tha se Radojiçiq sipas të gjitha gjasave ndodhet në spitalin ushtarak në Beograd.

“Sipas të gjitha gjasave Radojçiq ndodhet në spitalin ushtarak në Beograd, aty nuk është i vetëm, ka edhe të plagosur në spitalin e Novi Pazarit, që është afër kufirit me Kosovën. Po e përsëris ndërmjet kanaleve zyrtare, nën asistencën e parterëve tanë ndërkombëtarë, do të kërkojmë që të gjithë ata që kanë qenë pjesë e sulmit ndaj policisë, qoftë të plagosur ose të lënduar, duhet t’i dorëzohen Kosovës për t’u përballur me drejtësinë”, tha ai.

(Kosova Sot Online)