Krasniqi: A e dini se Serbia shpërfaqi fytyrën!

  • A.P /
  • 26 September 2023 - 15:29
Krasniqi: A e dini se Serbia shpërfaqi fytyrën!

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përkujtuar sot të rënët në 25 vjetorin e Masakrës së Abrisë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Krasniqi, në një postim në Facebook, thotë se me 26 Shtator të vitit 1998, 25 vite më parë, barbaria e Serbisë shpërfaqi edhe një herë fytyrën e vet kriminale. 23 anëtarët e familjes martire Deliu, duarthatë e të strehuar në pyll, u masakruan pa mëshirë, në Abri të Drenicës.

“Të gjithë, fëmijë, gra e pleq, u ekzekutuan me gjakftohtësi – si pjesë e politikës shtetërore serbe për të kryer gjenocid në Kosovë. Kriminelët serbë, urdhërdhënës dhe zbatues, të cilët shfarosën familjen Deliu, asnjëherë nuk dhanë përgjegjësi para drejtësisë për krimin e kryer.

Po në këtë ditë dhe në këtë vend, në Abri, ranë dëshmorë tre heronjtë e Kosovës, Valdet Xhemajli, Vesel Demaku dhe Afrim Hajdaraj, të cilët u flijuan në mbrojtje të atdheut, duke rishkruar dimensionin e qëndresës, përmes heroizmit të tyre. Nderim i përjetshëm për 23 anëtarët e Familjes Deliu! Lavdi heronjve të kombit, Vesel Demaku, Valdet Xhemajli dhe Afrim Hajdaraj!”, ka shkruar Krasniqi.

(Kosova Sot Online)