Docherty thirrje Serbisë që të bashkëpunojë me autoritetet kosovare dhe partnerët ndërkombëtarë

  • A.P /
  • 27 September 2023 - 17:45
Docherty thirrje Serbisë që të bashkëpunojë me autoritetet kosovare dhe partnerët ndërkombëtarë

Në kuadër të një vizite në rajon, ministri britanik për Çështjet Europiane, Leo Docherty, ka qëndruar sot në Serbi, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai pati takime dypalëshe me ministrin e Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq dhe ministren e Integrimeve Europiane, Tanja Mishçeviq.

Në njoftimin e ambasadës britanike në Beograd thuhet se Docherty ka dënuar ashpër sulmet ndaj Policisë së Kosovës në afërsi të Manastirit të Banjskës dhe i bëri thirrje Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet kosovare dhe partnerët ndërkombëtarë për të nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe u bëjmë thirrje autoriteteve në Beograd dhe Prishtinë që të punojnë së bashku për t’i sjellë autorët para drejtësisë”, tha ministri britanik.

“Ngjarjet e 24 shtatorit paraqesin rreziqe reale për stabilitetin rajonal. Ato burojnë nga grumbullimi i pakontrolluar i armëve dhe dështimi për të arritur progres në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, qëllimi i të cilit është që të gjitha komunitetet të ndjehen të qetë dhe të sigurt. Ministri Dockerty i bëri thirrje Serbisë që të përdorë ndikimin e saj në veri të Kosovës për të de-përshkallëzuar tensionet dhe për të dekurajuar dhunën e mëtejshme, si dhe të përmbahet nga çdo lëvizje apo retorikë që do të komplikonte kthimin në dialog nën kujdesin e Bashkimit Europian. Mbretëria e Bashkuar inkurajon Serbinë dhe Kosovën që të veprojnë me përgjegjësi dhe të kthehen në procesin e dialogut të sponsorizuar nga BE-ja si çështje urgjente dhe në mirëbesim”, thuhet në njoftimin e ambasadës britanike.

Ai u takua edhe me përfaqësues të kompanive britanike aktive në Serbi, si dhe me deputetë, anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Serbisë.


(Kosova Sot Online)