Justifikimi i aktit terrorist nga Vuçiq duke përmendur marrëveshjen e Brukselit, Stano: Nëse kemi diçka për t’iu thënë iu themi direkt

  • E.K /
  • 28 September 2023 - 15:40
Justifikimi i aktit terrorist nga Vuçiq duke përmendur marrëveshjen e Brukselit, Stano: Nëse kemi diçka për t’iu thënë iu themi direkt

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka pësëritur sërish se ajo që ndodhi të dielën ishte sulm terrorist dhe se ai duhet të hetohet, e përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë.

Por, ai s’u përgjigj konkretisht kur u pyet mbi një deklaratë justifikuese mbrëmë të presidentit serb Aleksandar Vuçiq të aktit terrorist që la të vrarë policin Afrim Bunjaku.

Vuçiq kishte thënë mbrëmë në një paraqitje në media se bazuar në marrëveshjen e Brukselit policët me etni shqiptare nuk do të duhet të ishin aty.

“A ka ndonjë detyrim formal që policët e Kosovës me origjinë etnike shqiptare të mos jetë atje, sepse ky është justifikim për sulmin ndaj tyre”, ishte pyetja që mori Stano.

Ai tha se komunikimet e BE-së me partnerët nuk i bëjnë në media dhe se nëse kanë diçka për t’iu thënë atëherë e bëjnë drejtpërdrejt me ta.

“Ne nuk e kryejmë angazhimin tonë me partnerët përmes domenit publik. Nëse kemi diçka për t’iu thënë iu themi direkt. Të njëjtën e presim edhe prej tyre”, tha Stano në konferencën e sotme, duke shtuar deklaratën e zakonshme se nuk komentojnë deklarata.

“Ne kemi një situatë shumë serioze”.

Zëdhënësi i BE-së tha se Unioni pret që të ketë bashkëpunim për të ardhur deri te e vërteta.

“Të gjithë që janë të përfshirë apo që mund të jenë janë të obliguar të bashkëpunojnë në mënyrë që të sigurohet që ky sulm të hetohet plotësisht. Edhe ata që e kanë planifikuar, që e kanë ekzekutuar apo që ishin prapa të sillen para drejtësisë. Këtë pozicion BE-ja e ka përsëritur disa herë”.

(Kosova SWot Online)