Vuçiq: Unë e njoh Milan Radojiçiqin por të tjerët jo

  • A.P /
  • 28 September 2023 - 16:38
Vuçiq: Unë e njoh Milan Radojiçiqin por të tjerët jo

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka konfirmuar se Milan Radojiçiq ishte pjesë e grupit të personave që kryen sulm terrorist të dielën e kaluar në veri të Kosovës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai këtë e tregoi në përgjigjën e pyetjes së gazetarit të RTS-së, Gorislav Papiq.

“Sa dini për organizimin e atyre njerëzve, që komandojnë ata njerëz nga Kosova, a i njihni ata njerëz”, u pyet Vuçiq.

“Si të mos e njihja Milan Radojiçiqin?”, u përgjigj Vuçiq.

“A i komandon ai?”, e pyeti më pas gazetari.

“Nuk e di nëse ishte komanduesi, por ju më pyetët nëse i njihja ata njerëz. E njoh Milan Radojiçiqin. Nuk e di kush ishin këta të tjerët dhe nuk e njoha asnjërin. Tani kam dëgjuar për këta njerëz”, pretendoi Vuçiq.

Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë thënë se Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, ishte pjesë e grupit terrorist që vrau të dielën një pjesëtar të policisë dhe plagosi një tjetër.

Madje është publikuar edhe një video e realizuar nga droni gjatë ditës kur forcat e Policisë së Kosovës po ndiqnin grupin e armatosur. Aty shihet një person për të cilin ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla tha se është Radojçiq. 


(Kosova Sot Online)