Hoti: Krahas hetimit për sulmin terrosit, të normalizohet jeta e qytetarëve në komunat në veri

  • E.K /
  • 29 September 2023 - 13:59
Hoti: Krahas hetimit për sulmin terrosit, të normalizohet jeta e qytetarëve në komunat në veri

Ish- kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se është shumë e rëndësishme që, krahas hetimit për sulmin terrorist, të normalizohet jeta e qytetarëve në komunat në veri, përcjell “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, këto hetime duhet të jenë shumë profesionale dhe në koordinim me ndërkombëtarët.

Hoti ka shkruar se zgjidhja e përhershme afatgjate në veri duhet të jetë politike, përmes dialogut.

Ai në katër pika ka dhënë sugjerimet e tij për situatën pas sulmit terrorist që ndodhi të dielën në veri:

1. Hetimet e institucioneve të Kosovës lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit duhet të jenë shumë profesionale e të kujdesshme, si dhe në koordinim të ngushtë me institucionet ndërkombëtare të sigurisë që janë të vendosura në Kosovë. Hetimi sigurisht se duhet të shtrihet edhe në Serbi, si pjesë e një hetimi ndërkombëtar që duhet të ndërmerret për këtë sulm.

2. Është shumë e rëndësishme që, paralelisht me këto hetime, të punohet për normalizim të shpejtë të jetës së përditshme në ato komuna. Në këtë drejtim, duhet të vendoset komunikim i ngushtë me komunitetin serb në çdo lokalitet përmes këshillave lokale për t’i mbajtur të informuar dhe për t’i siguruar se do të kenë mbrojtjen e nevojshme. Qytetarëve atje, e kemi për obligim tu krijojmë ambient të sigurt që të dërgojnë fëmijët në shkollë, të kryejnë obligimet e tyre familjare e të punës, si dhe të lëvizin lirshëm.

3. Pikat kufitare duhet të hapen sa më parë dhe të normalizohet qarkullimi, por edhe të sigurohet mbikëqyrje e plotë e vijës kufitare nga ana e KFOR-it.

4. Ndërkaq, zgjidhja e përhershme afatgjate në veri duhet të jetë politike, përmes dialogut, dhe në koordinim të plotë me aleatët euro-atlantik, në veçanti SHBA-në.

(Kosova Sot Online)