Publikohet emri i të dyshuarit për plagosjen që ndodhi në Prishtinë

  • A.P /
  • 29 September 2023 - 15:50
Publikohet emri i të dyshuarit për plagosjen që ndodhi në Prishtinë

Raportohet se një konflikt në kafenenë ‘Pasarela’ mes Flamur Berishës dhe Dëfrim Kuqit, rrezikoi të përfundojë tragjikisht për këtë të fundit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kuqi mbeti i plagosur rëndë si pasojë e të shtënave që dyshohet se u shkrepën nga Berisha.

I dyshuari për ngjarjen e rëndë, Flamur Berisha, është identifikuar nga Policia e Kosovës, por i njëjti ende s’është arrestuar.

Berisha me të kryer veprën, është larguar në drejtim të panjohur, duke shpëtuar kështu përkohësisht nga duart e organeve të rendit.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, tha për Sinjalin se hetuesit policorë bashkë me Prokurorinë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.  Bazuar në të dhënat fillestare  dyshohet se nga një person është plagosur dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar (i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.

Ndërkohë, viktima Dëfrim Kuqi, është dërguar me urgjencë në Qendrën Emergjente në Klinikën Universitare të Kosovës.

Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, tha për Sinjalin se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.

“E kanë sjellë të plagosurin. Është në gjendje jo stabile, në gjendje të rëndë”, tha Syla.

(Kosova Sot Online)