Autobusi me studentë përmbyset në mes të autostradës

  • A.P /
  • 29 September 2023 - 20:10
Autobusi me studentë përmbyset në mes të autostradës

Një incident i rëndë automobilistik ka ndodhur në Britaninë e Madhe, teksa një autobus që transportonte studentë është përmbysur në autostradën M53, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Autobusi që transportonte nxënës nga gjimnazi i vajzave “West Kirby” dhe i djemve “Calday Grange” drejt Merseyside u përplas me një makinë dhe më pas përfundoi i përmbysur në rrugë, në zonën e Cheshire.

Aksidenti ndodhi rreth orën 08:30 të mëngjesit, me nxënësit e plagosur që mbetën të bllokuar brenda për pak kohë.

Dëshmitarët në vendngjarje thanë se panë fëmijët duke dalë nga dritarja e pasme e autobusit, ndërsa fotot tregojnë autobusin e shtrirë në njërin krah, buzë rruge.

Një paciente femër është dërguar në spital me lëndime të rënda, ndërsa 50 të tjerë u trajtuan me ndihmë mjekësore nga ekipet e ambulancës që mbërritën në vendngjarje dhe më pas u transportuan në spitalin Alder Hey në Liverpool.

(Kosova Sot Online)