Pasi Kosova kërkoj pse Serbia nuk po i tërheqë të gjitha trupat nga kufiri i saj!

  • A.P /
  • 01 October 2023 - 13:16
Pasi Kosova kërkoj pse Serbia nuk po i tërheqë të gjitha trupat nga kufiri i saj!

Pasi Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimin për “mobilizimin ushtarak serb pranë kufirit me Kosovën”, Kosova i kërkoi të shtunën Serbisë të largojë trupat nga kufiri i saj, transmeton gazeta "Kosova Sot Online"

Të shtunën qeveria e Kosovës tha se ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian “në lidhje me këtë kërcënim serioz nga Serbia dhe reagimi i Shteteve të Bashkuara ndaj kësaj qasje agresive të Serbisë ka qenë i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë”.

Tensionet mes dy vendeve janë të lartë që nga 24 shtatori kur policia e Kosovës u përlesh me një grup serbësh të armatosur që sulmoi policinë në fshatin Banjskë në veri të vendit, duke vrarë një oficer policie. Tre sulmues u vranë po ashtu gjatë përleshjeve.

Ngjarja që u cilësua nga më të rëndat që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 nxiti shqetësime të reja ndërkombëtare për qëndrueshmërinë në Kosovë.

“I bëjmë thirrje presidentit (Aleksandar) Vuçiç dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën”, thuhet në një komunikatë të qeverisë së Kosovës në të cilën theksohet se “pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën është hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës”.

Të premten zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë një grumbullim të madh ushtarak të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, që përfshin artileri të avancuar, tanke dhe njësi ushtarake të mekanizuara, të cilin ai e quajti “të pashembullt”.

“I bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri, që të kontribuojë në uljen e tensioneve”, tha ai.

(Kosova Sot Online)