Docherty: Trupat tona do të përforcojnë KFOR-in në Kosovë

  • A.P /
  • 02 October 2023 - 21:10
Docherty: Trupat tona do të përforcojnë KFOR-in në Kosovë

Ministri britanik për Çështje Evropiane, Leo Docherty, është shprehur i kënaqur që një batalion i ushtrisë së Britanisë Madhe do t’i bashkëngjitet KFOR-it në Kosovë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe ka njoftuar të premten se ka transferuar komandën e një batalioni të ushtrisë britanike në NATO, në mënyrë që të mund të ofrojë mbështetje në Kosovë në rast se kërkohet.

“Të kënaqur që forcat e Mbretërisë së Bashkuar po forcojnë KFOR-in në Kosovë, duke demonstruar përkushtimin tonë ndaj NATO-s dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ministri britanik Docherty, në një postim në platformën “X”, transmeton Telegrafi.

Më tej ai ka thënë se “kërkojmë qetësi dhe de-përshkallëzim nga të gjitha anët”.“E vetmja rrugë e qëndrueshme drejt paqes në Kosovë është përmes dialogut”, ka thënë Docherty.

Ndërsa, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se “për shkak të situatës aktuale në Kosovë, ne kemi transferuar komandën e Batalionit të Parë të Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit – një forcë rezervë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR), në mënyrë që të mund të ofrojë mbështetjes nëse kërkohet”.

Ishte Aleanca Veri-Atlantike (NATO) e cila ka konfirmuar se ka autorizuar forca shtesë në Kosovë për shkak të zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Në njoftimin për media thuhet se KFOR-i do të ndërmarr veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

(Kosova Sot Online)