Plenkoviq: Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i përkrahë institucionet e Kosovës pas sulmit në Veri

  • A.P /
  • 02 October 2023 - 15:55
Plenkoviq: Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i përkrahë institucionet e Kosovës pas sulmit në Veri

Komuniteti ndërkombëtarë duhet të ketë reagime të qarta dhe t’i përkrahë institucionet e Kosovës pas sulmit në veri të vendit, ka deklaruar kryeministri i Kroacisë, Adrej Plenkoviq, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Pasi e priti në Zagreb kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për media, Plenkoviq tha se “Kroacia e dënon me forcë vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës nga grupe të armatosura të cilat kanë qenë të armatosura në formë të tillë, duke bërë të qartë që këtu bëhet fjalë për një operacion paraprakisht të planifikuar, pasi që me pajisje të tilla dhe me një numër të madh njerëzish, nuk është diçka që ka ndodhur rastësisht”.

“Dhe ne konsiderojmë që kjo ngjarje është një incident shumë serioz dhe është një sinjal i fortë që tregon se ka forca të cilat duan ta destabilizojnë situatën në Kosovë, raportet mes Kosovës dhe Serbisë, dëshirojnë ta destabilizojnë situatën në hapësirën e Europës juglindore dhe natyrisht nuk mund të mos e shohim këtë jashtë kontekstit gjeostrategjik”, tha ai.

Plenkoviq kërkoi reagim të qartë të komunitetit ndërkombëtar dhe që Serbisë t’i dërgohen mesazhe të qarta.

“Regimi i komunitetit ndërkombëtar, reagimet e tyre duhet të jenë të qarta dhe të forta, dhe duhet t’i përkrahin institucionet e Kosovës, para se gjithash, pasi bëhet fjalë për territor të Kosovës, dhe nga ana tjetër duhet të bëjnë përpjekje maksimale për të parandaluar çfarëdolloj eskalimi të gjendjes. Dhe natyrisht sa i përket kësaj kemi dëgjuar mesazhe të qarta Serbisë dhe kanë kërkuar që të tërhiqen menjëherë forcat e drejtuara drejt kufirit të Kosovës”, tha Plenkoviq.

Lidhur me sanaksionet e mundshme kundër Serbisë, Plenkoviq tha se “nga ajo çfarë ne dimë, bëhet fjalë për masa që Komisioni Europian mund t’i ndërmarrë edhe pa vendet anëtare të Bashkimit europian”.

“Një diskutim i thellë dhe i detajshëm lidhur me këtë do të vazhdojë”, tha ai.

(Kosova Sot Online)